Në daljen e tij të përjavshme me gazetarët, Sali Berisha ftoi shqiptarët që të marrin pjesë në hapjen e fushatës që Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë do të bëjnë, të shtunën në “Air Albania.” Berisha premtoi se ajo e 14 majit do të jetë fitore si e vitit 1992.

“Në të gjitha metropolet e mëdha parashikohet fitorja e koalicionit tonë. Edhe ata që kanë qenë më skeptikë, detyrohen ta shqiptojnë edhe publikisht”, deklaroi ish-kryeministri duke nënkuptuar se retorika e përdorur ndaj grupimit të tij tashmë është ndryshuar.

I pyetur rreth deklaratave të bëra nga Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Berisha tha se i pëlqyen si vizita, ashtu edhe deklaratat e bëra nga i dërguari i SHBA-së.

Ai solli në vëmendje se kur u pyet nga Grida Duma për çështjen McGonigal, “ai u përgjigj se nuk komenton për një çështje penale e hapur.”

Dhe kjo sipas Berishës, nënkupton “një derë qelie e hapur për Edi Ramën.”

E dyta, ai ishte një lajm shumë interesant. Edhe në rast se fiton, tha, pra parashikon fitoren time. Unë e vlerësoj këtë. Unë u thashë se në kryeqytetet e Europës dhe botës po binden për rikthimin e fuqishëm të Sali Berishës dhe fitoren e PD-së,” shtoi ai duke përsëritur edhe një herë se qëndrimi dhe perceptimi ndaj tij po ndryshon.

Duke u ndalur te ambasadorja Yuri Kim, Sali Berisha përsëriti edhe një herë thirrjet për Inspektorin e Përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Kongresit të SHBA-së që të hetojnë kryediplomaten amerikane dhe pronat e saj në Shqipëri.