Rusia në alarm për shkak të një droni të rrëzuar pranë Moskës. Mediat atje raportojnë se bëhet fjalë për një mjet fluturues që transportonte 17 kilogramë eksploziv të ndarë në 30 tulla, sasi e cila nuk ka shpërthyer.

Droni ishte një UJ-22 Airborn i fabrikuar nga Ukraina, me një gjatësi prej 3.5 metrash. Arsyeja e rrëzimit ishte se i kishte përfunduar karburanti. Dyshohet se eksplozivi i dronit të rënë në një zonë pyjore në Noginsk, pranë kryeqytetit rus, të ishte C4. Ekspertëve të sigurisë u janë dashur rreth pesë orë për të bërë të mundur lëvizjen e mjetit fluturues të ndarë në dysh, pa rrezikuar që të shpërthente.

“Ria Novosti” raporton se droni kishte një peshë totale prej rreth 100 kilogramësh dhe ka një motor të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se nuk dihet se nga është nisur.

Sakaq, flota e Rusisë në Detin e Zi pretendon se ka shmangur një sulm me dronë në portin e Sevastopolit në Krime, gjatë orëve të para të së hënës. Autoritetet lokale njoftojnë se situata në rajonin e aneksuar mbetet e qetë, por ushtria mbetet në gatishmëri.

Ndërkohë, një ndër njerëzit më të besuar të Presidentit rus, Vladimir Putin, konfirmoi se i biri ka marrë pjesë në atë që Moska vijon ta quajë “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nënvizoi se djali i tij ka kryer detyrën kushtetuese. Por, ai shmangu përgjigjen për pyetjen pse i biri kishte zgjedhur grupin e mercenarëve Wagner për të luftuar dhe jo të mobilizohej si pjesë e ushtrisë së rregullt të Rusisë.