Parlamenti portugez miratoi të premten një projektligj që dekriminalizon eutanazinë. Në tentativën e pestë për ta miratuar draftin nga Assembleia da República në Lisbonë, anëtarët e delegacionit kombëtar portugez votuan pro me një shumicë të qartë, 129 vota pro dhe 81 kundër.

Katër përpjekjet e para rezultuan të pasuksesshme, si për shkak të vetos së ushtruar nga presidenti Marcelo Hebelo de Souza ashtu edhe prej kundërshtimeve nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit duhet të miratojë projektligjin që ai të hyjë në fuqi brenda tetë ditëve pasi t’i dorëzohet presidencës.

Teksti u modifikua disa herë. Eutanazia konsiderohet vepër penale në shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe për ushtruesit mund të jepen dënime të rënda me burg.

Në vitin 2021, Spanja u bë vendi i katërt që e dekriminalizoi atë, pas Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut.

Qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Antonio Costa paraqiti projektligjin origjinal në parlamentin e Portugalisë tre vjet më parë.

Në atë kohë, shumica e deputetëve nga partia kryesore opozitare, PSD e qendrës së djathtë dhe shumë deputetë nga partia populiste e ekstremit të djathtë Chega kundërshtuan dekriminalizimin, pavarësisht nga kushtet e rrepta që vinin me të.

Ndërsa, partia e Costa-s ka theksuar vazhdimisht se projektligji synon të ofrojë “liri dhe dinjitet” për njerëzit që u duhet të durojnë dhimbje ekstreme për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe duan t’i japin fund jetës së tyre.