Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët amerikanë kanë goditur një rrjet në Shqipëri që falsifikonte pasaporta diplomatike, me qëllim për të trafikuar në mënyrë të paligjshme persona në drejtim të SHBA.

Gjatë operacionit të koduar “PBF”, ku mori pjesë dhe njësia speciale policore e ambasadës amerikane “Joint Shield”, u bë i mundur arrestimi i dy personave dhe vënia nën hetim e disa të tjerëve nën akuzën e dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Korçë, janë arrestuar shtetasit D. M. dhe G. P, të cilëve iu sekuestruan dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen  ekzaminimeve të mëtejshme.

Hetimet nisën pasi policia kufitare në Rinas, ndaloi një 56 vjeçare në muajin prill, e cila po tentonte të udhëtonte drejt SHBA me një pasaportë diplomatike false. Gruaja deklaroi para hetuese se e kishte siguruar këtë dokument në një OJF të njohur me emrin “PBF”.

Nga provat e mbledhura rezultoi se ishin të paktën 4 shtetas shqiptarë të dyshuar të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve.