Është miratuar sot akti normativ, që i hap rrugë bisedimeve për të siguruar vaksina kundër koronavirusit nga Kina dhe Rusia.

Si të autorizuar për negociata janë caktuar ministrat, Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj.

Në akt normativ theksohet se negociatat zhvillohen për vaksinat të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Edhe më herët, Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria do shohë edhe për burime të tjera për të siguruar vaksina, në kushtet kur sipas tij BE nuk u tregua e drejtë me vendet e Ballkanit.

AKT NORMATIV

PËR

DHËNIEN E AUTORIZIMIT MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE ME PRODHUESIT, ME DISTRIBUTORË TË AUTORIZUAR, ME QEVERITË OSE INSTITUCIONET E AUTORIZUARA PREJ TYRE, TË VENDEVE QË PRODHOJNË OSE DISTRIBUOJNË VAKSINA ANTICOVID, PËR TË SIGURUAR KËTO VAKSINA, TË CILAT JANË TË CERTIFIKUARA NGA TRUPA CERTIFIKUESE NË VENDIN E PRODHIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Dhënie autorizimi për zhvillimin e negociatave

Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.