Që në ditën e parë të marrjes së detyrës së ministrit të Brendshëm, Taulant Balla ka treguar dhe prioritetet e punë së tij. Në reagimet e para nën petkun e ministrit, Balla fokusin e kishte te siguria në plazhe dhe ka kërkuar prej efektivëve të Policisë së Shtetit që të garantojnë pushime të qeta për të gjithë turistët.

Por duket se puna e policisë do të fokusohet edhe te trafiqet dhe kultivimi i drogave. Balla e quan një sukses operacionin e policisë së Elbasanit, që përfundoi me kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe që ishin pjesë e një grupi kriminal që operonte në disa qytete.

“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar. Përgëzime Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar “Rrjeti”. Pres më shumë goditje si kjo”, tha Balla.

Ndërkohë, ish-ministri Bledi Çuçi ka njoftuar se pasi ka lënë detyrën i ka dorëzuar Ballës një dosje me prioritetet e vitit 2023 për ministrinë e Brendshme. Sipas Çuçit, shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jetë i përhershëm, pavarësisht se kush e drejton institucionin.