Kontrolli i përbashkët i kufirit midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, i cili hyri sot në fuqi, është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final për kryeministrin Edi Rama, është unifikimi i doganave, ndërsa meritën për këtë arritje ia njeh Ballkanit të Hapur.

“Ky është një hap i rëndësishëm por qëllimi final është unifikimi i doganave që do të vijë me integrimin e Shqipërisë e RMV në BE, por ne nuk kemi pse presim BE për ta vazhduar si ide.  Ka pasur shumë skeptikë kur ne nisëm këtë proces me Minishengenin e Ballkanin e hapur, kur rezultatet flasim më mirë. Ta bëjmë hapësirën mes nesh ku ndërveprohet si në BE pa pritur që të integrohemi tërësisht në BE.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se kjo qasje i shërben industrisë së turizmit dhe prodhimit.

“Është një moment i rëndësishëm se ua lehtësojmë kalimin në këtë pikë dhe i japim shtysë jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe marrëdhënieve tona në tërësi dhe zhvillimit të turizmit. Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe fluksi i turistëve dhe numri i investitorëve të mëdhenj të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit së bashku me ata të Diasporës është tejet inkurajues. Rritja e industrisë së turizmit dhe prodhimit kërkojnë qasje komplekse, dhe pjesë e saj është transformimi në funksion të lehtësimit të kufijve. Kemi parë që nga e thënë në të bërë është në mes një det i tërë. Ka shumë pengesa që vijnë nga e inercia e së shkuarës. Sjell rritje të përgjegjësisë së agjencive ligjzbatuese në pikat kufitare. Vetëm në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas e mbi 322 mijë automjete dhe një procedurë e thjeshtuar me një ndalesë ku në të njëjtin vend janë të dy përfaqësuesit është ajo që nevojitet. Të dy ministritë e Brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në një periudhë piku sezoni për të bërë kalimin pa kontroll”.

Ai foli edhe për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorin blu dhe mbështetjen që ka marrë nga BE

“Korridori 8 një ëndërr shumë e vjetër që i ka ardhur dita të realizohet dhe në të dy anët e kufirit. Kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e rrjetit europian të infrastrukturës. Kjo na jep një tjetër burim mbështetje nga BE dhe kemi pasur një samit në romë me ministrin e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, RMV e Bullgarisë. Mos të harrojmë Korridorin Blu jemi në prag të punimeve për disa segmente, duke filluar nga Milot-Balldrem, duke vazhduar me segmentin Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier dhe presim Milot-Thumanë. Thumanë-Kashar është 70% i ndërtuar dhe deri në fund të vitit presim të kemi projektin që lidh Bunën me urën e re të Balldremit, që do të lidhë Veriun me Jugun e Shqipërisë dhe kështu do të mbarojë tortura.  Më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe jam i bindur që do të rikthehemi për të rindërtuar këtë pikë sipas standardeve të BE, falë projektit të lehtësimit të transporti në Ballkanin Perëndimor që po e realizojmë me financimin e Bankës Botërore”.