Drejtori i Drejtorisë së Rrugëve Rurale, Emergjencave Civile, Ujitjes dhe Kullimit në bashkinë e Malësisë së Madhe, është proceduar penalisht pasi ka goditur vartësin e tij me detyrë përgjegjës i Emergjencave Civile në këtë bashki. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. S., 60 vjeç, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Rrugëve Rurale, Emergjencave Civile, Ujitjes dhe Kullimit, bashkia Malësi e Madhe, pasi ka kallëzuar shtetasi E. R., 64 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Emergjencave Civile, bashkia Malësi e Madhe, se gjatë një konflikti për motive të dobëta, me 60-vjeçarin, ky i fundit e ka goditur me grusht. Vijojnë veprimet për verifikimin e këtij kallëzimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.