Detyrimet e prapambetura të 61 bashkive në vend kanë arritur në 6.62 miliardë lekë, me kursin aktual të këmbimit gati 64 milionë euro. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në raport me fund-vitin e shkuar borxhet e pushtetit vendor janë zgjeruar me 1.2 miliardë lekë apo 11.5 milionë euro.

Krahasuar me marsin, detyrimet ende të pashlyera të bashkive janë zgjeruar me 600 milionë euro, ndërsa fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit vlerësohet si arsyeja kryesore e shtimit të shpenzimeve.

Tirana është bashkia me vlerën më të lartë të detyrimeve të prapambetura me mbi 2 miliardë lekë, ndjekur nga Kavaja me 77 milionë Vora 410 milionë, Pogradeci 270 milionë, Lezha 230 milionë lekë. Ndërkohë Bashkia Durrës i ka rritur borxhet në 220 milionë lekë, Kamza në 210 milionë dhe Mirdita në 200 milionë lekë.

Pjesa më e madhe e këtyre parave borxh janë si detyrime ndaj kompanive për investime që bashkitë kanë kryer, ndjekur nga detyrimet për shërbimet e marra, vendimet gjyqësore, mallrat e blerë apo shpenzimet për mirëmbajtje.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë ndërkohë se Korça, Kolonja, Shkodra, Pusteci, Vlora, Gjirokastra dhe Përrenjasi janë bashkitë me vlerën më të ulët të detyrimeve të prapambetura.

Bazuar në buxhetin në dispozicion dhe nivelin e borxheve të pashlyera në kohë, bashkitë me probleme të theksuara financiare vlerësohen Peqini, Tropoja, Pogradeci, Delvina. Nga ana tjetër, Dimali ka kaluar në vështirësi financiare.