Për herë të parë në botë, shkencëtarët kanë gjetur të gjallë në trurin e një gruaje, një krimb 8 cm të gjatë. Studiuesit po paralajmërojnë se rasti nxjerr në pah rrezikun e shtuar të sëmundjeve dhe infeksioneve që kalojnë nga kafshët te njerëzit.

“Të gjithë në atë sallë operacioni u tronditën kur kirurgu mori disa pinca për të kapur një anomali dhe anomalia doli të ishte një krimb i gjallë, i gjallë 8 cm i kuq. Ky është një infeksion i ri i padokumentuar kurrë më parë tek një qenie njerëzore”, tha mjekja Sanjaya Senanayake.

Krimbi i rrumbullakët Ophidascaris Robertsi është i zakonshëm te pitonët, gjarpërinjtë johelmues që gjenden në pjesën më të madhe të Australisë.

Shkencëtarët thonë se gruaja ka shumë të ngjarë ta ketë marrë krimbin, pasi mblodhi një lloj bari vendas, pranë një liqeni afër vendit ku jetonte.

Duke shkruar në revistën Emerging Infectious Diseases, Mehrab Hossain, një ekspert australian në parazitologji, tha se ai dyshon se ajo u bë një “pritëse aksidentale” pasi përdori bimët e kontaminuara nga feçet e pitonit dhe vezët e parazitëve për gatim.

Aty filloi ajo që mjekët e quajtën një “plejadë e pazakontë simptomash” të dhimbjes së stomakut, një kollë, djersitje gjatë natës dhe diarre që u përshkallëzua në harresë në rritje dhe përkeqësim të depresionit.

Pacientja u shtrua në spital në fund të janarit 2021, ku skanimi zbuloi “një lezion atipik brenda lobit frontal të djathtë të trurit”. Shkaku i gjendjes së saj u zbulua vetëm nga thika e një kirurgu gjatë një biopsie në qershor 2022.

“Invazioni i trurit nga larvat Ophidascaris nuk ishte raportuar më parë”, shkruan Dr Hossain.

Ekipi i ANU raporton se 30 lloje të reja infeksionesh janë shfaqur në 30 vitet e fundit. Tre të katërtat janë sëmundje zoonotike infektive që kanë kaluar nga kafshët te njerëzit.