Komisioni Europian do të prezantojë në tetor propozime thelbësore, të reja dhe të guximshme për çështjen e zgjerimit. Megjithatë, vendimi se si do të ecet përpara varet kryesisht nga vendet anëtare. Këtë e konfirmoi Oliver Varhelyi, komisioner i BE-së për zgjerimin, gjatë një interviste për median EURACTIV, duke pohuar se do të vendoset gjithçka e mundur në tryezë për ta përshpejtuar këtë proces. Ai shton se 2030-a është një afat i realizueshëm, por vetëm nëse shtetet kandidate, përfshirë Shqipërinë, dhe blloku europian dyfishojnë punën e tyre.

Pyetja ka qenë gjithmonë: A duam ta bëjmë ne këtë? Dhe është hera e parë që dëgjoj nga Këshilli Europian se ata duan ta bëjnë këtë. Ky është një zhvillim i mirëpritur.

Olivér Várhelyi, Komisioner i BE për Zgjerimin
Shefi i zgjerimit kërkoi nga Bashkimi Europian që të përshpejtojë reformën e brendshme mbi këtë çështje. Varhelyi përmendi disa prej ideve të reja që mund të prezantohen bashkë planin e rritjes që mundëson afrimin e vendeve kandidate me BE-në, siç tha ai përmes shtimit të investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Do të përfshinte gjithçka nga reformat mbi sundimin e ligjit, demokracinë, reformat ekonomike dhe integrimin, përmirësimin e klimës së investitorëve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme financiare për të mbyllur hendekun e zhvillimit përpara se ato vende të bëhen anëtare, gjë e cila është gjithashtu e rëndësishme.

Olivér Várhelyi, Komisioner i BE për Zgjerimin
Sipas Várhelyi, fillimisht do të bëhet një ofertë serioze në muajin tetor, ndërsa më pas në samitin e dhjetorit mund të flitet për vendime. Më herët, eurokomisioneri nënvizoi se zgjerimi i BE-së mund të përshpejtohej, por sërish procesi do të ishte i bazuar në meritë, pra në përmbushjen e kushteve dhe reformave. Në të njëjtën linjë ishte edhe shefi i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, i cili njoftoi gjithashtu organizimin e një takimi mes përfaqësuesve të Unionit dhe Ballkanit Perëndimor në fund të shtatorit për të vlerësuar situatën në rajon por edhe të ardhmen.