Papunësia tek të rinjtë vijon të thellohet, teksa vetë këta të fundit ngrenë shqetësimin e mungesës së vendeve të punës pasi përfundojnë studimet.

Pavarësisht një rënie të lehtë të papunësisë në shkallë vendi, Instituti i Statistikave raporton se tek të rinjtë 15-29 vjeç ky tregues është rritur për periudhën prill-qershor me 2.1% krahasuar me një vit më parë, duke regjistruar një nivel prej 22,3 %. Për ekspertët e punësimit ky fenomen lidhet ngushtë me mospërputhjen e kërkesës së tregut me ofertën e bizneseve.

“Është e lartë dhe vazhdon të jetë e lartë, mos të harrojmë se ka faktorë të ndryshëm se pse të rinjtë s’janë të punësuar, faktorët janë se prindërit i mbajnë, faktor emigracioni, tjetër është punësimi, por dhe të padeklaruar. Kryesisht kemi biznese, shërbime dhe s’kemi profesione që të rikualifikohen, që të kemi një lidhje të tregut me profesione”, thotë Kumrie Zeka, eksperte punësimi.

Mungesa e fuqisë punëtore është thelluar në sektorin e bujqësisë dhe industrisë, teksa shërbimet nga ana tjetër janë rritur ndjeshëm.

“Di që dalin dhe dalin me idenë që ata do punësohen në atë fushë të cilën janë shkolluar, që fatkeqësisht janë vende të limituara jashtë dyerve të universitetit dhe jo për të gjithë ka vende të lira dhe kjo i dekurajon duke zgjedhur dhe largimin drejt vendeve të tjera”, thotë Zeka.

Në shkallë vendi, shifra zyrtare e papunësisë u fiksua në nivelin e 10.7%, ndërsa punësimi u rrit lehtë për popullsinë 15-64 vjeç në 67,4 %.