Nëse shpesh pyesim se përse mësuesit e rinj të fizikës, matematikës apo kimisë nuk janë si ata të dikurshmit, përgjigjen e marrin këtu, në fakultetin e shkencave të natyrës.

Dikur kjo shkollë e lartë ishte më e preferuara dhe nga nxënësit më të mirë. Ndërsa sot këto degë po prekin fundin. Këtë vit akademik janë regjistruar vetëm  7 studentë në degën e Fizikës, 14 në matematikë dhe 6 për kimi. Asnjëri prej tyre nuk e ka preferencë të parë.

Regjistrohen në mësuesi për të mos mbetur pa shkollë të lartë. Edhe politika e qeverisë për të financuar me bursë studentët që ndjekin programet e mësuesisë dështoi. Pagesa prej 40 mijë lekësh në muaj gjatë periudhës së studimeve nuk i ka tunduar aspak maturantët për ndryshuar zgjedhjen e tyre për studimet e larta.

Dekani i fakultetit të shkencave të natyrës Spiro Dushku thotë se qeveria këto financime duhet t’i orientojë nga pagat e mësuesve.

Katër vitet e fundit shkencat e natyrës po përballen me rrezikun e mbylljes së degëve të mësuesisë. Vetëm 8% e maturantëve në rang vendi kane zgjedhur këtë program studimi, ku edhe më kritike situata është në universitetet e rretheve. Por nëse flasim për cilësinë, mësues matematike, fizike apo kimie sot po dalin edhe nxënësit e dobët.