Paga mesatare në vend është rritur me rreth 10 mijë lekë në harkun e një viti. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 60 mijë 666 lekë në harkun prill-qershor të 2022-shit, paga mesatare në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 70 mijë e 905 lekë. Zgjerimi përllogaritet në nivelin 16.9 për qind.

“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu, sot tregu i punës po vuan për punonjës, ndaj rriten pagat.”

Emian Muçaj, eksperte e punësimit

Mirëpo të dhënat tregojnë për thellim të hendeqeve mes asaj që të punësuarit marrin në profesione të ndryshme. Sipas INSTAT punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare më të lartë në harkun e muajve prill-qershor me 149 mijë e 91 lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 112 mijë e 114 lekë.

Ndërkohë në bujqësi që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë paguhen mesatarisht me vetëm 47 mijë e 068 që nëse i heqim sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ajo që fermeri merr në dorë nuk i kalon 42 mijë lekët.

“Në këtë sektor duket se presioni i largimeve ende nuk po jep efekt. Zanatet në përgjithësi, një pjesë e së cilave janë në zhdukje, me gjithë vëmendjen e shtuar po kanë pak reflektim në rritje pagash.”

Emian Muçaj, eksperte e punësimit

Me gjithë zgjerimin e pagës mesatare, Shqipëria vijon të mbetet e fundit pas Kosovës në Rajon. Bosnjë-Hercegovina është vendi me pagën mesatare më të lartë me 893 euro, ndjekur nga Mali i Zi me 885 euro dhe Serbia me 880 euro.