Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK ka ndërmarrë një operacion në Tiranë, Krujë, Durrës, Vlorë e Kurbin, në fund të të cilit është arrestuar shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, teksa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjykata ka nxjerrë një urdhër arresti për shtetasit, Gëzim Çelaj, Arben Dalipajn, Roland Guxon, të cilët sipas Drejtorit të Policisë, Rrumbullaku, është vërtetuar që ndodhen jashtë Shqipërisë.

Hetimet kanë nisur në muajin gusht të këtij viti, në kuadër të operacionit “Flakët e Detit”, kur policia sekuestroi 23 kg pranë Patokut, teksa trafikantët po e shkëmbenin në mes të detit.

“Rezultat e thelluar për operacionin “Flakët në det” për goditjen e një rasti të trafikut të lëndëve narkotike. Operacioni “Flakë në det” u organizua në bashkëpunim me partnerët. Policia që në fillim të këtij viti ka shtuar masat duke përdorur të gjitha kapacitetet. Megaoperacioni nisi pas lëvizjes së gomones në luginën e Patokut. Ky mjet bisedoi me një velierë dhe dy mjetet shkëmbyen lëndë narkotike. Në operacion u përfshi Frontes dhe Guardia di Finanza. Shtetasit që ndodheshin në velierë, i vunë flakën asaj dhe tentuan të largoheshin. Në atë kohë u kapën 4 shqiptarë dhe dy ukrainas. Në cilësinë e provës u sekuestruan dy armë, para dhe 23 kg kanabis.

Në vijim të hetimeve intensive, Policia dhe SPAK dhe Gjykata caktoi masën arrest me burg për trafik ndërkombëtar të drogës për Gëzim Çelaj, Arben Dalipajn, Roland Guxon, Dritan Metaj, shef i komisariatit. Sot policia ekzekutoi masat e sigurisë për zyrtarin e policisë, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë në kërkim dhe ndodhen jashtë territorit. Po vazhdon operacioni për sekuestrimin e pasurive të këtyre personave”, tha drejtori Rrumbullaku.