Shqipëria vijon të shënojë regres sa i përket zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Raporti më i fundit e rendit vendin të tretin nga fundi, krah Rusisë dhe Azerbajxhanit. Shteti shqiptar angazhohet se do të fillojë të paguajë nga janari i vitit 2024, por ndërkohë moszbatimi i këtyre vendimeve ka rritur kostot nëpërmjet kamat-vonesës.  

Shqipëria vijon të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por angazhohet se nga janari i 2024 do të ndryshojë qasje, duke filluar të paguajë dëmshpërblimet. Në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, pjesë e kapitullit 23 të negocimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, të hedhur për konsultim publik, pala shqiptare shprehet se për të përmbushur kërkesat e Brukselit, do të fillojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që kryesisht lidhen me të drejtën e pronësisë.

Por, pse nevojitet një angazhim i tillë përballë institucioneve të Bashkimit Europian, kur vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut janë të detyrueshme për t’u zbatuar? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë tek analiza që Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka bërë në lidhje me zbatimin e vendimeve të saj. Shqipëria ka shënuar regres duke rënë me dy pozicione, e renditur krah Rusisë dhe Azerbajxhanit. Moszbatimi i këtyre vendimeve nuk përkeqëson vetëm imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por shkakton edhe dëme në financat e shtetit. Me pak fjalë, çdo muaj që kalon shoqërohet me një kamat-vonesë që rëndohet gjithnjë e më shumë, teksa vendimet një ditë do të duhet të paguhen. 

Ajo që është simbol i dëmit të shkaktuar është çështja Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë, e njohur në publik si vendimi për Pallatin e familjarëve të Lulzim Bashës. Tritoli ndaj këtij pallati i kushtoi fillimisht arkës së shtetit mbi 13 milionë euro. Sipas shkresave që A2 CNN disponon të korresponencës ndërmjet Avokaturës së Shtetit dhe Gjykatës Europiane, pala shqiptare është shprehur se momentalisht nuk ka mundësi financiare për pagesën, shumë e cila është rritur me 2 milionë euro.