Aleksandër Vuçiç “ka liruar karrigen” e Bashkimit Europian për t’u ulur në atë të Kinës. Presidenti i Serbisë ka udhëtuar për në shtetin aziatik ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, “Një Brez, një Rrugë”.

Vuçiç, i cili ka marrë me vete 8 ministra, përfshirë atë të mbrojtjes dhe atë të jashtëm, tha se vizita e tij në Kinë është shumë e rëndësishme dhe se vjen në momente që nuk janë aspak të lehta për të.

Ai paralajmëroi takime të rëndësishme dypalëshe, përfshirë me presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe Ëang hu ning, duke e konsideruar atë “Kissingerin kinez”.

Mediat serbe raportojnë se gjatë këtij samiti mund të ndodhë edhe një takim mes Vuçiç dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili do të marrë pjesë në eventin që mbahet në Pekin.

Gjatë një prononcimi për mediat serbe, ai foli sërish për tensionet me Kosovën dhe u përgjigj pyetjes nëse ushtron dhunë apo presion ndaj serbëve të Kosovës.

“Unë nuk jam pronar i jetës së serbëve nga Kosova e Metohia, por u thashë se rrethanat kanë ndryshuar dhe se po kërkoj që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Dhe shikoni hipokrizinë në anën tjetër. Më herët nuk u pëlqente vendimi për të mos shkuar në zgjedhje, tani nuk u pëlqen të shkojnë. Nuk u intereson çfarë thotë Vuçiç. Për opozitën, unë jam një kriminel dhe një vrasës, më i keqi në botë,” u shpreh Vuçiç.

Sërish akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk dëshiron të dialogojë dhe të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, ndërsa kërkoi formimin e Asociacionit.

Gjatë samitit “Një Brez, një Rrugë”, Vuçiç njoftoi se do të nënshkruajë marrëveshje për bashkëpunimin e përgjithshëm, tregtinë e lirë, dhe për futjen në përdorim të monedhës kineze në bankat e Serbisë.

Gjithashtu tha se do marrë financime të rëndësishme për ndërtimin e rrugëve apo projekteve të tjera në infrastrukturë. Një ndër synimet e shprehura nga ai ishte që Serbia të pushtojë tregjet kineze me raki.