Paketa e gjerë me investime nga buxheti i Bashkimit Europian në këtë ditë të rëndësishme të Samitit të Berlinit të zhvilluar në Tiranë, do të shfaq ndërkohë një sërë mundësish por dhe sfidash për 6 vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor.

Përfshirja në projekte të tilla e vendit tonë sipas ekspertëve të ekonomisë do ta përballë Shqipërinë më një sërë kushtesh për zbatimin e tyre.

“Kur flasim për mundësitë e rritjes nuk flasim vetëm për infrastrukturën fizike, asgjë nuk është falas për BP, kështu që do ketë një mbikëqyrje më të plotë në respektimin e demokracisë funksionale, ndarja, balanca edhe kontrolli i pushteteve, etnitë, respektimi i pakicave etj.. Do të jemi në një skaner të përhershëm i cili do ketë ndikim pozitiv, do bëj presion që qeverisja të jetë sa më e mirë.”

Arben Malaj – Ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë
Ndërsa fokusi i këtij Samitit do të jetë kryesisht në projekte të transportit, të ndërlidhjes energjetike por dhe asaj dixhitale, krahasuar me vendet e tjera Malaj thotë se problem do të mbetet infrastruktura në vendin tonë.

“Një sfidë e vështirë që ka Shqipëria është infrastruktura sepse ka qenë më e vështirë se infrastruktura e vendeve të tjera që kanë qenë të përfshira në Korridoret evropiane. Projektet që prezantohen janë aktualisht dy projektet ato që kanë efekt brenda Shqipërisë. Na duhen më shumë projekte që na integrojnë.”

Arben Malaj – Ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë
Por çfarë pritet të sjellin projekte të reja në vend?

“Nëse do të bëjmë infrastrukturën ligjore që të përafrohet me atë të Bashkimit Europian, dhe të respektohet në mënyrë korrekte patjetër që do ketë më shumë investitorë vendas dhe të huaj në Shqipëri dhe në rajon. Kështu që një perceptim më pozitiv për konsolidimin e ekonomisë sonë vijnë dhe nga zhvillime të tilla.”

Arben Malaj – Ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë
Projektet duhet të koordinohen më mirë me Bashkimin Europian për moslënien e tyre pezull dhe bërjen e tyre sa më funksionale në të mirë të vendit.