Inteligjenca artificiale, me ritme të shpejta, po shtrin ndikimin e vet në fusha të ndryshme. E ardhmja e akademisë dhe kërkimit shkencor mund të ndikohet në mënyrë thelbësore nga mjete dhe platforma si ChatGPT.

Pavarësisht se inteligjenca artificiale po gjen përdorim të gjerë, shumë prej akademikëve nuk po e përdorin akoma atë në mënyrë inteligjente, thonë vetë studiuesit.

Akademikët janë ndarë në dy grupime lidhur me çështjen. Grupimi i parë janë adoptuesit e hershëm të inteligjencës artificiale dhe i dyti janë profesorët dhe akademikët që mendojnë se AI korrupton integritetin akademik.

ChatGPT mund të ndihmojë në demokratizimin e arsimit dhe madje të gjenerojë njohuri më të thelluara.

Shumë ekspertë kanë vënë në dukje se saktësia dhe cilësia e informacionit të gjeneruar nga platformat gjuhësore si ChatGPT duhet vënë në dyshim, sikur informacionet që kemi gjetur deri më sot online. Teksti i ofruar nga AI është e mundur që të jetë i njëanshëm, i kufizuar ose i pasaktë.

Sfida është tek të kuptuarit e aftësive dhe kufizimeve të inteligjencës artificiale në mënyrë që të përdoret siç duhet dhe të rezultojë në produkte cilësore.

AI përfshin zbërthimin e detyrave komplekse në hapa më të thjeshtë, më të menaxhueshëm dhe ofron udhëzime apo sinjale për të ndihmuar individin të përfundojë me sukses një kërkim apo punë të nisur. Kërkesat pastaj gradualisht bëhen më të ndërlikuara duke nxitur paltformat të ofrojnë përgjigje shumë më të sofistikuara.

ChatGPT dhe inteligjenca artificiale në përgjithësi mund të reduktojnë ndjeshëm kohën e kërkimeve shkencore apo edhe konsultimin me profesore dhe studime të mëhershme.

Dhe po, disa njerëz e kanë luksin të diskutojnë me profesorët e Harvardit ose të Oksfordit për idetë e tyre apo këndvështrime të mundshme akademike për punimet shkencore, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Inteligjenca artificiale shtron rrugë të reja edhe për studiuesit me akses të kufizuar në informacion.

Për t’u theksuar është që edhe për Inteligjencën artificiale, vlen shprehja “Beso dhe Kontrollo”, për të mos marrë si të mirëqenë çdo përgjigje sado të sofistikuar në dukje.

ChatGPT është vetëm një nga shumë aplikacionet apo platformat e fuqizuara nga AI që mund të përdorni për shkrime akademike ose për të zëvendësuar bisedat me akademikë të zotë. Më tej po ju njoh me disa aplikacione që mund t’ju ndihmojnë në kërkimet tuaja shkencore.

Një prej tyre është “Konsensus”

Nëse ChatGPT dhe Google Scholar do të bashkoheshin, produkti i krijuar do të ishte Consensus – një motor kërkimi i fuqizuar nga AI.

Konsensusi ka një veçanti, pasi kur ju bëni pyetje me përgjgije të mbyllura si “po apo jo”, aplikacioni gjeneron përgjigje të zgjeruara me konsensusin e komunitetit akademik.

Ky motor i kërkimit është krijuar vetëm për t’iu përgjigjur gjashtë temave: ekonomia, gjumi, politika sociale, mjekësia dhe suplementet e shëndetit dhe në mënyrë me specifike të shëndetit mendor.

Një alternativë e dytë është Elicit.com.

Elicit, “asistenti i kërkimit të AI” sipas themeluesve të tij, përdor gjithashtu modele gjuhësore për t’iu përgjigjur pyetjeve. Megjithatë, njohuritë e tij bazohen vetëm në kërkime, duke mundësuar “biseda inteligjente” dhe stuhi mendimesh me burime shumë të gjera dhe të verifikuara.

Aplikacioni i tretë është Scite.ai

Ky aplikacion i fuqizuar nga AI ju ofron citime reale nga artikuj të publikuar më herët.

Pasi i bëhet një pyetje, Scite jep përgjigje me një listë të detajuar të të gjithë artikujve të cituar në përgjigje.

Alternativa e katërt që mund ta shfrytëzoni në kërkimet tuaja shkencore është Research Rabbit.

Research Rabbit është një mjet i jashtëzakonshëm që thjeshtëson kërkimin tuaj. Ja ku vjen pjesa më e mirë: është FALAS.

Research Rabbit lejon shtimin e punimeve akademike në “koleksione”. Këto koleksione lejojnë softuerin të mësojë rreth interesave të përdoruesit, duke nxitur rekomandime të reja përkatëse.

Aplikacioni tjetër është ChatPDF

ChatPDF është një aplikacion i fuqizuar nga AI që e bën leximin dhe analizimin e artikujve më të lehtë dhe më të shpejtë.

Përdoruesit fillojnë duke ngarkuar dokumentin kërkimor PDF në softuerin e AI dhe më pas fillojnë t’i bëjnë pyetje.

Aplikacioni përgatit një përmbledhje të shkurtër të punimit dhe i ofron përdoruesit shembuj të pyetjeve të cilave ai mund t’u përgjigjet bazuar në artikullin e plotë.

Inteligjenca artificiale është krijuar për të ndihmuar njeriun, jo për ta tejkaluar atë. Edhe në kërkimet shkencore mund të jetë një ndihmë e madhe, por nuk mund të bëjë gjithçka. Porosia e ekspertëve është që të përdoret me kujdes dhe përgjegjshmëri.