Policia e Kosovës ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Dalip Alshiqi” të Prishtinës, ku mbeti e vrarë 33-vjeçarja Liridona Murseli.

Ngjarja fillimisht u raportua si një grabitje. Autoritetet në kryeqytetin kosovar bënë me dije se bashkëshortja e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murselit, mori një plumb që e la të vdekur në vend kur familja u përball me grabitësit në fshatin Sinidoll.

Bashkëshorti i viktimës në deklaratën për hetuesit rrëfeu se ndodhej bashkë me gruan dhe fëmijët në makinë, kur papritmas iu kanë zënë pritë dy grabitës të armatosur, me një automjet tip BMW me targa të huaja.

Murseli kishte deklaruar se kur u përballën me grabitësit, ai i mori fëmijët për t’i larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka dëgjuar disa të shtëna, të cilat ishin fatale për bashkëshorten e tij.

Teksa  Liridona Murseli u varros sot në Cërmjan të Gjakovës, duket se pista e hetimeve është përmbysur. Policia njofton se ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët lidhen me vrasjen dhe operacioni është duke vazhduar me bastisjen e dy lokacioneve në Gjakovë.

Me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit. Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.

Mediat në Kosovë raportojnë se njëri prej të arrestuarve është bashkëshorti i 33-vjeçares së ndjerë. I dyshuari tjetër dyshohet se e ka pranuar para prokurores së çështjes se është pikërisht Murseli ai që e ka paguar ta kryejë vrasjen.