Disa ditë pasi u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion, ka reaguar në rrjetet sociale, kreu i Bashkisë së Strugës, Ramiz Merko.

Përmes një postimi të gjatë, Merko shkruan se është në funksion të drejtësisë, sa herë që ta thërrasë për këtë çështje, teksa shton se ka vendosur të ngrijë aktivitetin e tij politik.

“Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera.

Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë. Për fund dua të falënderoj secilin qytetar për mbështetjen ndër vite, por dhe mbështetjen të cilën nuk e kanë kursyer dhe këto ditë të cilët jam i bindur se bashkërisht do i kalojmë, në funksion të krijimit të kushteve për një jetë sa më të mirë të qytetarëve të Strugës dhe jo vetëm, për Strugën që e duam” shkruan Merko.