Disa shpërthime janë regjistruar këtë të hënë rreth orës 16:30 në një incenerator në zonën e Riminit, që ndodhet midis komunave të Riccione dhe asaj të Coriano.

Bilanci paraprak tregon për tre të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Të gjithë të lënduarit janë transportuar me helikopter në spitalin Bufalini në Cesena për t’u trajtuar me urgjencë për djegiet e pësuara.

Përveç zjarrfikësve, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve që u shkaktuan nga shpërthimet, në vendngjarje ndodhen edhe karabinierët dhe inspektorët e punës.

Ndërkohë, autoritetet janë alarmuar edhe për gjendjen e ajrit në zonë, duke qenë se ky është vendi ku trajtohen mbetjet.

Nga hetimet fillestare rezulton se ka shpërthyer një nga objektet në rripin transportues. Pak pas orës 16:00, zhurma shumë e fortë mund të dëgjohej edhe nga një distancë e largët, ndërsa nga inceneratori doli tym i zi që mbuloi zonën.