Zgjedhjen e ngërçit politik të krijuar prej 4 muajsh në Parlament deputetët kërkuan ta gjenin në Bruksel.

Takimi i radhës i Komitetit të Stabilizim Asociimit, Bashkimi Europian-Shqipëri bëri bashkë në një sallë të Parlamentit Europian, demokratë e socialistë, ku për herë të parë pas shumë muajsh, arritën të komunikonin ndërmjet tyre pa tym e pa zhurmues.

Jehona e zhurmuesve dhe tymi i flakadanëve ishte ndjerë edhe në Bruksel, të cilët kërkuan nga politikanët shqiptarë gjetjen e gjuhës së dialogut dhe kthimin e situatës në normalitet.

“Një parlament funksional është themelor për matarim demokratik të vendit përpara anëtarësimit në Bashkimit Europian. Ndërkohë që partitë politike kanë të drejtë të kenë axhendën e tyre, është e rëndësishme që funksionimi i parlamentit të vijojë pa asnjë pengesë në respekt të vlerave demokratike,” deklaroi Alberto Cammarata.

“Ne e dimë që skena politike shqiptare po karakterizohet nga një polarizim i skajshëm. Kjo nuk është një gjë e re për ju. Por ajo që po shohim është se kjo po ndikon seriozisht në aktivitetin parlamentar,” u shpreh Else Fenet.

Por si edhe në të shkuarën, secila palë dha versionin e tij se përse gjendemi në këtë krizë, duke dhënë sinjale për nisje dialogu.

“Çështja e ngritjes së 8 komisioneve parlamentare, e cila ka bllokuar funksionin normal të parlamentit prej tre muajsh tashmë, jemi të gatshëm ta diskutojmë me kolegët e opozitës dhe të gjejmë një zgjidhje europiane,” deklaroi Majko.

E vlerësoi kolegun Majko se është i gatshëm për dialog, dhe apelin e kolegëve ndërkombëtar për dialog, por gjatë tre muajve të fundit ne nuk kemi gjetur rrugën e dialogut, dhe nuk kemi parë asnjë hap që të tregojë vullnetin e mazhorancës për t’u ulur në dialog. Në vend të kësaj kemi parë kanë qenë veprime arrogante që janë marrë ndaj opozitës,” kundërshtoi Bardhi.

Hallet e politikanëve shqiptarë nuk kishin të njëjtën rëndësi për të gjithë eurodeputetët. Kur erdhi radha për vlerësimet personale, Drejtuesi i Komitetit, Manolis Kefaloianis, ndryshoi të folurën nga anglishtja në greqisht, jo vetëm si gjuhë, por edhe si çështje.

“Fatkeqësisht, arrestimi i Fredi Belerit nuk është një çështje ndërmjet dy vendeve, nuk është një çështje bilaterale midis Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është një çështje europiane, është një çështje ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.”

“Çështja e Belerit është një çështje e reformës së drejtësisë, dhe ashtu duhet të trajtohet. Çështja nuk është europiane. Çështje do të vazhdoj të mos jetë europiane. Ne po shohim që t’i bashkohemi Greqisë dhe vendeve të tjera duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Koha kur qeveria ndërmjetësonte me gjykatësit e politizuara ka përfunduark,” u përgjigj ministri Hasani.

Përplasja për çështjen Beleri bllokoi miratimin e paragrafit në rezolutë që mbështeste qeverinë shqiptare në vijimin e përgatitjes për hapjen e grupit të parë kapitujve negociues.

Votat e parlamentarëve shqiptarë ishin të unifikuara, por kundër dolën euro-deputetët.

Gogu: Miratohet!

Kefaloianis: Jo nuk miratohet se jemi ne kundër!

Kjo votë duket se nuk i tingëlloi mirë socialistit Toni Gogu, ku për disa momente, nuk nguroi të replikonte me homologun grek, por pa ditur se mikrofoni ishte ndezur, ndërsa e konsideroi atë votim si jo të ndershëm.