Posterat e Partisë Socialiste janë vendosur jashtë rregullave, por jo aq në kundërshtim sa të urdhërohet heqja e tyre. Në këtë konkluzion doli Ilirjan Celibashi gjatë shqyrtimit të ankimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” të cilët kërkonin nga KQZ diçka tjetër. 

“Mendoj që kjo është shkelje dhe në bazë të pikës pesë policia bashkiake duhet të garantojë zbatimin e këtij neni duke bërë heqjen e këtyre materialeve propagandistike”, tha përfaqësuesi i PL.

Por e vetmja shkelja që konstatoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ishte as gjuha denigruese e as ajo seksiste siç pretendonte koalicioni, por fakti se në posterat gjigand nuk ishte vendosur dixhitura se përgjegjësia ligjore për vendosjen e tyre ishte e Partisë Socialiste, për të cilën kërkoi korrigjimin e materialeve propagandistike. 

“Ndaj duhet vendosur brenda dy ditëve, në rast të kundërt do të urdhëroj heqjen e materialeve”, tha komisioneri.

Kësisoj, fushata me postera duket se do të vijojë, tashmë nga të dyja kampet pasi urdhëri i KQZ-së ishte për të gjitha partitë që kanë filluar afishimin e tyre.