Ursula von der Leyen njoftoi të hënën se do të kërkojë një mandat të dytë si presidentja e Komisionit Europian dhe kryetarja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel.

Teksa fliste në një mbledhje të Partisë së Unionit Demokristian CDU në Berlin, 65-vjeçarja konfirmoi kandidaturën e saj një mandat të radhës pesëvjeçar.

Teksa kjo është kandidatura e parë që bëhet publike, ka zëra që thonë se kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas mund të jetë një tjetër kandidate në garën për të zgjedhur kryetarin e ri të krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian. Zgjedhjet do të mbahen këtë verë.

Megjithatë, deri më tani, të gjithë sytë janë nga Ursula von der Leyen, e cila u shpall edhe Gruaja më e fuqishme për vitin 2023 nga Forbes.

“Jam duke marrë një vendim të peshuar mirë. Do të doja që të kandidoja për një mandat të dytë dhe i jam shumë mirënjohëse CDU-së që më nominoi si kandidaten kryesore për PPE ditën e sotme,” deklaroi presidentja e KE-së.

Nëse do të rizgjidhet, von der Leyen është e vendosur që ta bëjë Mbrojtjen një nga prioritetet më të rëndësishme të mandatit të saj të dytë.

Mbrojtja ka qenë për vite me radhë një politikë e mbajtur në profil të ulët në Bruksel derisa Rusa pushtoi Ukrainën dhe i detyroi europianët që të bënin edhe një herë llogaritë për boshllëqet dhe dobësitë e mundshme.