Vetëm 1 në 10 turistë të huaj që vizitoi Shqipërinë, vitin e shkuar, fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Kjo të paktën, sipas të dhënave zyrtare. Nga mbi 10.1 milionë turistë në total, të dhënat e INSTAT tregojnë se vetëm 1.3 milionë prej tyre u akomoduan.

“Kjo tregon informalitetin.. Shqipëria ka gati 48 për qind të kapaciteteve akomoduese i ka apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor. Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencës mes subjekteve”, thotë kryetar i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi.

Të dhënat tregojnë se megjithëse në rritje në raport me vitet e mëhershme, gjatë 2023-shit, mesatarisht u zunë vetëm 22 për qind e shtretërve në strukturat akomoduese të vendit.

“Shqipëria ka 107 mijë shterët të regjistruar. Këtu përfshihen hotelet, bujtinat dhe apartamentet. Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra”, thekson Topuzi.

Ashtu si edhe gjatë vitit, të dhënat e INSTAT tregojnë se në dhjetor ishin italianët ata që përbënë pjesën më të madhe të turistëve të akomoduar. Ata zunë 11.8 për qind të totalit. Lista pasohet nga Kosova, Gjermania, Britania e Madhe dhe Turqia.