Policia e Sarandës ka arrestuar dy persona në kuadër të operacioneve “Strike 11” dhe “Strike 12 për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë operacionit “Strike 11”, në Sarandë, u arrestua në flagrancë një 35 vjeçar, me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë ushtruar kontroll fizik ndaj 35-vjeçarit, të cilit i gjetën dhjetëra doza lënde narkotike cannabis, të cilat ky shtetas i shiste në zona të ndryshme të Sarandës.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Sarandë, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 kallëp tritoli, 1 krehër me municion luftarak, një sasi lënde narkotike cannabis, një sasi farash cannabisi dhe një shumë parash të dyshuara të falsifikuara.

Në kuadër të operacionit “Strike 12”, në Ksamil, u arrestua në flagrancë një 46 vjeçar, me precedent kriminal në fushën e vjedhjes.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e 46-vjeçarit, në Ksamil, ku gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 mjet prerës (thikë), 1 palë pranga, disa fishekë arme gjahu, një shumë parash në euro dhe 8 celularë.