Po ashtu, SPAK ka kërkuar masë arresti edhe për Saimir Petanin, i cili rezulton i ekstraduar nga Italia me dënimin prej 25 vitesh burg për vrasje.

Krahas tyre, SPAK ka arrestuar Shkëlqim Korbin, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore si edhe disa familjarë të të dënuarve në burgje.

Të gjithë ata dyshohet se në bashkëpunim kanë bërë të mundur uljen e dënimeve apo nxjerrjen nga burgu të të dënuarve. Synimi kësaj radhe ishte ulja e dënimit pikërisht për Saimir Petanin.

Skema
Skema ishte vënë në funksionim nga gjyqtarja, avokati dhe sekretarja e gjykatës.

Fillimisht, sipas SPAK, të dënuarit zgjidhnin avokat Aldo Tabakun, i cili kishte kontakte të ngushta me gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Nga ana tjetër, sekretarja e gjykatës bëntë të mundur që çështja të kalonte për shqyrtim pikërisht nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, e cila merrte vendim pro kërkuesve.

Sipas SPAK, të burgosurit apo familjarët e tyre paguanin nga 6 000 deri në 12 000 euro për përfitimin e këtyre uljeve me qëllim final daljen nga burgu.

Sa i përket mjekut Shkëlqim Korbi, SPAK thekson se ai ka përgatitur një akt ekspertimi për një të dënuar me mjekin të detyruar spitalor. Akti i ekspertimit ka qenë në disfavor të të dënuarit, por papritur mjeku shkon në sekretarin e gjykatës dhe zëvendëson aktin me një tjetër, kësaj radhe në favor të tij.