Një variant i ri i koronavirusit SARS-CoV-2 është identifikuar në Finlandë. I quajtur Fin-796H, ai ka disa karakteristika të përbashkëta me variantin “anglez” (B.1.1.7 ose ‘Variant of Concern’ 202012/01 – VOC-202012/01) dhe me atë të “Afrikës së Jugut” (B.1.351), edhe pse nuk ka lidhje direkte nga to, pasi vërehet një kombinim unik i mutacioneve, origjina e të cilit aktualisht konsiderohet e panjohur.

Në fakt, shkencëtarët besojnë se varianti nuk u shfaq në Finlandë, duke pasur parasysh se qarkullimi i patogjenit është mjaft i kufizuar në vendin e Evropës Veriore; deri më sot, sipas të dhënave nga harta ndërvepruese e Universitetit Johns Hopkins, ka 51,595 infeksione të përgjithshme dhe 723 vdekje në Finlandë, një nga më të ultat ndonjëherë për Kontinentin e Vjetër.

Varianti Fin-796H u zbulua nga studiuesit nga “Life Laboratories” dhe Instituti Bioteknologjik i Universitetit të Helsinkit, të cilët e izoluan atë javën e kaluar nga një pacient që banonte në Finlandën e Jugut.

Renditja gjenetike u krye nga shkencëtarja e bioinformatikës, Pia Laine. Siç specifikohet në një njoftim për shtyp nga “Life Laboratories”, pothuajse të gjitha variantet e koronavirusit SARS-CoV-2 të zbuluara deri më tani, rrjedhin nga lloji “anglez”, “afrikano-jugor” dhe ai “brazilian”, megjithatë Fin-796H është i ndryshëm nga këto linja.

“Karakteristikat e tij nuk i ngjajnë asnjë varianti të vetëm të njohur”, – tha profesor Petri Auvinen, kreu i njësisë së renditjes gjenetike në Institutin e Bioteknologjisë në “Life Laboratories”.

Mutacionet që karakterizojnë variantin e ri finlandez, e bëjnë të vështirë identifikimin për të paktën njërën nga testet PCR (reaksion zinxhir polimerazë) ​​të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), por testet e përdorura në Finlandë, kërkojnë rajone të ndryshme gjenesh, prandaj, shkencëtarët nuk shqetësohen, se varianti i ri mund t’i “shpëtojë” kontrolleve të rrjetit të mbikëqyrjes.

Për shkak se sapo është zbuluar dhe ka karakteristika unike, studiuesit nuk e dinë nëse është më i transmetueshëm ose nëse ka aftësinë që në një farë mënyre, të shmangë mbrojtjen e antitrupave, si ato të shkaktuara nga infeksioni natyror, ashtu edhe nga ato të shkaktuara nga vaksinimi.

“Varianti u zbulua tek një pacient javën e kaluar, kështu që detajet e infektivitetit dhe rezistencës së mundshme ndaj vaksinave të këtij lloji, nuk dihen ende”, – i tha Dr. Taru Meri i “Life Laboratories”  gazetës “Yle”.

Shkencëtarët, theksojnë se nuk janë të shqetësuar për zbulimin e variantit të ri, por natyrisht ata do ta monitorojnë atë dhe do ta studiojnë plotësisht për të kuptuar të gjitha tiparet e tij, duke përfshirë çdo gjë të rrezikshme.

Deri më tani, vetëm 450 raste të varianteve të koronavirusit SARS-CoV-2 janë regjistruar në Finlandë, sipas specialistit të sëmundjes infektive, Taneli Puumalainen.

422 prej tyre ishin për shkak të variantit ‘britanik’, 22 për variantin e “Afrikës së Jugut” dhe një për variantin ‘brazilian’.

Tani shtohet edhe ky rast i variantit “lokal”, por do të duhet pak kohë për të përcaktuar origjinën e tij të vërtetë.