Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë sot në fuqi masat anti-COVID të dy javëve me parë, duke mos pasur asnjë ndryshim të orës policore në vend (20:00 deri në 06:00 të mëngjesit).

Ndërkohë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se ka një ulje të numrit të shtrimeve në spitale, por theksoi se maksimumi është arritur më 15 shkurt.

Brataj ka thënë që shifrat kanë filluar të ulen, duke shtuar optimizmin për përmirësimin e situatës.

“Ka një ulje të lehtë të numrave, nga 2500 thirrje në 24 orë jemi në 2200 thirrje. Më e rëndësishmja është numri i vizitave në banesë, që pati një rritje në janar, duke nisur nga 370, ku ka kapur pikun rreth datës 8 shkurt me 527, duke kapur maksimumin në datën 15 me 598 vizita, – tha kreu i Urgjencës Kombëtare. – Numri i shtrimeve në spital, nga 44 që ishte në spitalet rajonale në ditë, u rrit deri në 8 shkurt në 100 shtrime dhe arriti maksimumin më 15 shkurt në 115. Nga data 17, deri më tani ka një ulje të numrit të shtrimeve në spital duke zbritur poshtë 100, duke na dhënë një optimizëm“, ka thënë Brataj.