Ish-shefi i Shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, u dënua të premten me 12 vjet heqje lirie, ndërsa ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska me 4 vjet heqje lirie, lidhur me rastin e koduar si “Target-Kështjella” që kishte të bënte me përgjimin në masë të bisedave telefonike të më se 20 mijë qytetarëve.

Të dy këta dhe 10 persona të tjerë u shpallën fajtorë për veprat penale të lidhura me “përgjimet e paligjshme”.

Prokurorja Lençe Ristovska kërkoi masën e paraburgimit për ish-shefin e Agjencisë së Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, për shkak të ngjarjeve të para pak ditësh, kur ai u arratis, dhe për dy ditë ishte i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe të rendit. Gjykata Penale e pranoi kërkesën për masën e paraburgimit deri në hyrjen në fuqi të dënimit.

Ndërkohë, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tanimë është dënuar për një tjetër vepër me katër vjet heqje lirie.

Me 15 vite heqje lirie u dënuan ish-agjentët Goran Gruevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u arratisën para 3 vjetësh e gjysmë në Greqi, shtet që nuk i është përgjigjur kërkesave të Shkupit për ekstradimin e tyre.

Dy të tjerë u dënuan me nga 3 dhe 6 vjet heqje lirie, ndërsa të tjerëve iu shqiptuan dënime me kusht.

Në rastin “Target-Kështjella” ishin të përfshirë 12 persona, ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, agjentë dhe drejtues e përfaqësues të agjencive të sigurisë.

Për disa nga të dënuarit, koha e qëndrimit në paraburgim apo në arrest shtëpie do t’u llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me burg.

Skandalin e përgjimit të bisedave telefonike të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve e shumë qytetarëve të tjerë të njohur në opinionin publik si “bombat” e publikoi në fillim të vitit 2015 kryeministri Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës.

Ndërkaq, pas publikimit të vendimit të Gjykatës, në Shkup kanë shpërthyer protesta masive ku ka pasur edhe të arrestuar.