Sulmuesi i PSG-së, Kylian Mbappe, ka kërkuar largimin nga klubi francez. Ky është raportimi më i fundit që vjen nga gazetari i “Times”, Duncan Castles, i cili është i sigurtë në zgjedhjen e francezit. Madje ai deklaron se 22-vjeçari e ka të qartë se ku dëshiron të transferohet dhe bëhet fjalë për ekipin e Liverpool.

Në fakt ditët e fundit janë shtuar shumë zërat se Kylian dëshiron largimin nga Parisi, sidomos pas ndeshjes me Barcelonën në Champions League. Edhe pse ai ishte lidhur më shumë me një transferim te Real Madrid, edhe Liverpool ka qenë një nga klubet që është lidhur më shpesh Mbappe.

Gjithashtu nuk mbeten pas as Barcelona e Manchester United, por në fund do të jetë vetë lojtari që do të vendosë. Kujtojmë që kampioni i botës me Francën është në kontratë me kampionët e Ligue 1 deri në vitin 2022 dhe kartoni i tij vlerësohet plot 180 milionë euro.