Gjatë konferencës së sotme për shtyp kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët edhe për faktin nëse do të votojnë ose si do të veprohet me personat e infektuar me koronavirus në 25 prill.

Rama tha se do të veprojnë si të gjitha vendet e tjera dhe se personat që rezultojnë pozitiv me virus do të qëndrojnë në shtëpi, duke theksuar rëndësinë e shëndetit në radhë të parë.

Kryeministri mohoi që dita e zgjedhjeve të ndikojë në rritjen e rasteve të personave të infektuar.

“Do bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë vendet e tjera. Për ata të cilët janë të testuar pozitiv dhe nuk janë negativizuar duhet të qëndrojnë në shtëpi. E kemi parë këtë, është i vërtetë shqetësimi dhe kjo është gjëja që kanë bërë vendet e tjera. Janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë. Nuk ka pasur për fat të mirë të dhëna shqetësuese postelektorale në aspektin e influencës së shëndetit. Nuk ka pasur rritje të numrit të infektimeve. Këtë e kemi parë me shumë kujdes”, tha Rama.