Gjatë një bashkëbisedimi ‘online’ me shoqërinë civile, duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh edhe Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Meta i drejtua SPAK-ut, duke thënë se me “cironkat” e dosjes së Dibrës dhe Shijakut nuk tremben ata që kanë ndërmend të vënë dorë mbi procesin zgjedhor të 25 prillit.

“Çështja e zgjedhjeve është tashmë një çështje e të gjithë shoqërisë, sepse prej saj varet edhe integrimi i Shqipërisë. Vota duhet të jetë njëherë e përgjithmonë e shenjtë dhe e barabartë, – tha Meta. – Ne do t’i mbështesim të gjitha institucionet të bëjnë detyrën në këtë drejtim, përfshi edhe SPAK-un. Por me “cironkat” e dosjes së Dibrës dhe Shijakut, nuk trembet asnjë nga ata që kanë ndërmend të venë dorë mbi procesin zgjedhor”.

Kreu i shtetit, iu drejtua me një mesazh dhe qytetarëve, teksa tha: “Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të votojnë në listën e kandidatëve për deputet, personat më me vlera qytetare, më me integritet dhe më të përkushtuar ndaj komunitetit, që ata besojnë, për t’ju dhënë një mesazh në këtë mënyrë edhe kryetarëve të forcave politike”.

Meta përsëriti edhe një herë se është i gatshëm të japë dorëheqjen e tij nga posti i presidentit nëse mazhoranca aktuale fiton me ndershmëri dhe vota jo të blera.

“Fiksojeni në kokë, persidenti nuk do të qëndrojë indiferent në këtë proces zgjedhor, pasi është çështja më jetike për Sqipërinë për sot e për 100 vite që vijnë. Në 100 vite shtet, kurrë nuk kemi qenë në një situatë të tillë. Jemi prapa Serbisë, 8 vjet prapa për çeljen e negociatave. Presidenti ka thënë, nëse kjo shumicë aktuale konfirmohet pa prekur votën e popullit, presidenti jep dorëheqjen më 26 prill. Nuk ka asnjë shqetësim. Le ta dinë të gjithë. Unë jam president që nuk i jam trembur kurrë zgjedhjeve”, – shtoi ai.