Papa Françesku ka zhvilluar udhëtimin e tij të parë që pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Kreu i Kishës Katolike Romake ka mbërritur sot në Irak duke zhvilluar vizitën e parë papnore atje.

Ai nuk ka marrë parasysh virusin dhe as rreziqet e sigurisë, duke këmbëngulur se ishte i detyruar ta zhvillonte vizitën, informon abcnews.al.

Papa, 84 vjeç, do të përpiqet të sigurojë komunitetin e krishterë të tkurrur, dhe të nxisë dialogun ndërfetar, duke u takuar me klerikun mysliman shia më të nderuar të Irakut.  Papa gjithashtu do të kremtojë meshën në një stadium në Irbil, në veri të vendit.

Rreth 10,000 personel të Forcave të Sigurisë irakiane janë vënë në dispozicion për të mbrojtur Papën, ndërkohë ka qenë kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi që e priti Papën në aeroport.

Nga aeroporti Papa u shpreh se, ky ishte një udhëtim emblematik dhe detyrim ndaj një toke që është martirizuar për kaq shumë vite.

Në dy dekada që nga 1999, një nga komunitetet më të vjetra të krishtera në botë ka parë një rënie të madhe të besimtarëve. Numri i tyre ka rënë nga 1.4 milion në rreth 250,000. Shumë prej tyre kanë ikur jashtë vendit për t’i shpëtuar dhunës që ka pllakosur vendin.

Papa synon të inkurajojë të krishterët e përndjekur dhe të bëjë thirrje për paqe, në takimet me udhëheqësit politikë dhe fetarë./e.b-abcnews.al