Policia e Tiranës ka vënë në pranga një mjek në Institutin e Higjienës në Tiranë, Niko Nikaj, pasi ndaj tij ishte dhënë masa e ”arrestit me burg” nga ana e GJKKO-së, nën akuzën e korrupsionit.

Mes akuzave që rëndojnë ndaj tij, mjeku i Institutit të Higjienës, dyshohet se merrte para për të bërë tamponë për test diagnostikues të Covid 19  jashtë radhe.

Emri i mjekut Niko Nika doli në skenë gjatë operacionit policor “Librezat”, ku u godit një rast i organizuar i korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Mjeku akuzohet ndërkohë për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, më shume se një herë dhe “Ushtrim, ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve, të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.