Pas 15 viteve në krye të Gjermanisë, Joakim Lëv do t’i jap fund aventurës së tij në krye të katër herë kampionëve të Botës.

Federata Gjermane e Futbollit, ka njoftuar se e ka pranuar vendimin e teknikut për t’u larguar nga drejtimi i skuadrës menjëherë pas përfundimit të Europianit që zhvillohet këtë verë.

Kështu, Lëv do të provojë edhe një triumf të fundit me kombëtaren dhe më pas do të hapë krahun për një tjetër teknik.

Aventura më e rëndësishme e Lëv-it, në krye të Gjermanisë, ka qenë padyshim ajo e vitit 2014, ku ia doli t’i falë kombëtares Kupën e katërt të Botës pas triumfit në finale 1-0 me Argjentinën në Botërorin që organizohej në Brazil.

Megjithatë, në vitet e fundit, Gjermania ka pësuar disa zhgënjime, siç ishte edhe ai në Botërorin 2018, ku nuk arriti të kualifikohej që në ndeshjet e grupeve.

Lëv u vu në diskutim që në atë moment, megjithatë, pas tre viteve, ka vendosur të largohet, me shpresën se mund ta mbyllë aventurën e tij me një trofe në Europian.