Shqipëria pritet të nënshkruaj një marrëveshje me Bashkimin Europian për të marrë vaksina kundër koronavirusit.

Lajmi u bë publik në një takim të zhvilluar mes ministes së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, për dorëzimin e skanerit të avancuar në QSUT.

“Së bashku ne po negociojmë një marrëveshje, për një grant prej më shumë se 11 milion euro për vaksinat. Për pajisjet për të shpërndarë vaksinat, por gjithashtu dhe blerjen e vaksinave. Shpresoj që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje në ditët në vijim”, u shpreh Ambasadori Soreca.

Ndërkohë, sa i përket vaksinave të tjera, Manastirliu u shpreh se javën e ardhshme do të mbërrijnë doza nga Pfizer.

“Sfida e rradhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me Bashkimin Europian do të finalizohet shumë shpejt. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë.

Ne presim javën që vjen, në fillim të javës, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in.

Dhe po vijojmë të negociojmë për të patur kontrata të tjera. Vaksnimi është sfidë, është një proces, është një qëllim në vetvete për të përshkruar me shpejtësi kilometrin e fundit drejt fillimit të fundit të pandemisë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.