Në muajin mars kombëtarja jonë luan tre ndeshje për kualifikueset e Botërorit 2022 dhe tifozët nuk do të munden të jenë të pranishëm në stadium për shkak të masave kufizuese të ndërmarra nga institucionet shëndetësore për mospërhapjen e Covid-19.

Por kjo nuk do të thotë që tifozët të mos e bëjnë një përpjekje. Tifogrupi i kombëtares “Tifozat Kuq e Zi” kanë publikuar një qëndrim të tyre në lidhje me këtë vendim.

Ata i kërkojnë qeverisë të hapë stadiumet dhe Federatës të ushtrojë më shumë presion te qeveria për të kthyer tifozët në stadiume. Shqipëria luan me Anglinë më 28 mars në “Air Albania” dhe me Andorran dhe San Marino ne transfertë.

POSTIMI – Komunikatë publike: Duke marrë parasysh që Kombëtarja jonë është pranë një cikli kualifikues mjaft të rëndësishëm, gjithashtu duke pasur parasysh fillimin e vaksinimit kundër COVID-19, kërkojmë nga qeveria shqiptare të bëjë të mundur lejimin e pjesëmarrjes së tifozëve nëpër ngjarje sportive.

Jemi të vetëdijshëm për situatën me pandeminë, por po ashtu jemi dëshmitarë të shumë vendeve me statistika më të rënduara me COVID-19, që kanë lejuar pjesëmarrjen e tifozëve në masën 30% të kapacitetit të stadiumit (sipas udhëzimeve dhe protokollove të UEFA-s dhe autoriteteve shëndetësore).

Me këtë rast kërkojmë nga FSHF që të shtojë presionin tek autoritetet shtetërore, që ndeshjet e ardhshme të Kombëtares të luhen me praninë e lojtarit të 12-të.