Nesër do të zhvillohet finalja e Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu dhe Vllaznia do të përballen mes tyre në “Air Albania” (19:00). Ekipi shkodran nuk triumfon në këtë kompeticion prej 13 vitesh dhe përballë korçarëve do të synojë suksesin e shtatë në histori.

Trajneri i kuqeblube, Thomas Brdaric foli rreth kësaj ndeshje në konferencën për shtypin, ku ndër të tjera tha: “Një pikë maksimale që kanë arritur lojtarët tanë për të luajtur nesër ndeshjen më të rëndësishme të Kupës.

Ne e dimë që duhet të jemi në maksimumin tonë për të fituar ndeshjen nesër“, deklaron trajneri gjerman, i cili flet edhe për interesimin e Tiranës. “Jo, nuk kam dijeni. Dikush mund të ketë shpërndarë një thashethem apo fjalë, e dimë që është fundi i sezonit dhe po tenton të marrë lojtarë apo trajnerë. Dikush mund të mendojë për mua, por askush nuk ka folur me mua.

Fitimi i Kupës është i rëndësishëm për mua, është speciale ta mbyllësh sezonin me trofe. Jemi të bindur për ta fituar këtë ndeshje. Duhet ta marrim Skënderbeun shumë seriozisht, ata kanë dhuruar performanca pozitive dhe qëndruan në Superiore.

Mjedisi është mjaft i mirë për mua dhe lojtarët. Uroj që ta fitojmë këtë ndeshje. E ardhmja? Jo, e ardhmja ime te Vllaznia nuk varet nga ndeshja e nesërme. Është një finale, të gjithë duan ta fitojnë këtë ndeshje. Duam të tregojmë se jemi ekip më i mirë se Skënderbeu.

Kjo është për momentin në mendjen time. Pas ndeshjes do të vendosim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Alban Xhaferi duhet të marrë drejtimin e klubit, më pas do të bisedojmë dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë.

Më pëlqen presioni, pasi duhet të jesh i kujdesshëm. Ne kemi strategjinë tonë, kemi stilin tonë të lojës. Duhet të shijojmë ndeshjen, të jemi të uritur, kjo është e vetmja mënyrë për të fituar ndeshjen nesër.

Mungesa e tifozëve? Zhgënjyese, sa keq që nuk do të ketë asnjë tifoz. Të dy ekipet e meritojnë ta luajnë finalen me tifozë. Kam parë shumë ngjarje ku ka pasur grumbullime të mëdha njerëzish, nuk e kuptoj pse nuk lejohen tifozë në një finale, një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit.

Shpresoj ta mendojnë edhe njëherë, është e drejtë të ketë tifozë që do na ndihmojnë. Uroj të kemi një surprizë nesër. A do të vijë trofeu i Kupës në Shkodër nesër? Po“, përfundon trajneri i Vllaznisë.