Artan Kaboçi 34-vjeç nga fshati Gradishtë në Divjakë është arrestuar mbrëmjen e sotme pasi terrorizoi zonën dhe policinë. Rreth orës 19:30 policia deklaron se u njoftua se në fshatin Gradishtë, në banesën e të riut janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, policia thotë më tej se kanë shkuar shërbimet dhe kanë bërë rrethimin e banesës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë.

Raportohet se i riu nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të hedhur armën, por duke përfituar nga errësira ka dalë nga shtëpia dhe ka hipur në njërën nga makinat e policisë duke tentuar që të arratiset, por është mbërthyer me shpejtësi nga forcat e rendit.

Drejtoria e Fierit nuk e pranon tentativën e arratisjes së Kaboçit me makinën  e policisë, por thotë vetëm se 34-vjeçari në tentativë për t’u larguar ka dëmtuar me sende të forta tre mjete të tyre.

Artan Kaboçi ndodhet pas hekurave për t’u përballur me drejtësinë me disa akuza, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.