Kryeministri Edi Rama shkoi sot tek shkolla “4 Dëshmorët”, për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve, që pritet të nisë sot në vendin tonë.

Kreu i qeverisë është pritur në hyrje me thirrjet “Rama ik” nga të rinjtë e FRPD-së.

“Siç e dini morëm dje 38.400 doza vaksinash AstraZeneca. Vaksinimi do të shtrihet të hënën në të gjithë Shqipërinë. Ky është një hap i madh. Kam një lajm të mirë që së shpejti të nisin edhe vaksinimin masiv para sezonit turistik. Do të vaksinojmë fillimisht të gjithë pensionistët”, tha Rama.

Në çdo qytet do të ketë një njësi ku do të mblidhen mësuesit për t’u vaksinuar. Kryeminsitri garantoi se AstraZeneca nuk përbë asnjë rrezik pavarësisht lajmeve të rreme.

Kryeministri nuk kurseu as ironitë. “Nuk e kemi vaksinë e tërbimit”, tha ai duke iu referuar opozitës.

Një grup të rinjsh ishin mbledhur fillimisht pranë degës së Partisë Demokratike, e cila ndodhet përballë shkollës ku do të nisë sot, procesi i vaksinimit për mësuesit.

Kujtojmë se ditën e djeshme pati përplasje në ambientet e FRD-së , mes Presidentit të Republikës Ilir Meta me Policinë Bashkiake, pasi kjo e fundit kërkonte largimin nga zyrat të kësaj force politike.

“Më lejoni mos bëj asnjë koment, sepse jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe natyrisht kërkon solidaritet njerëzor me këdo qoftë jo vetëm që ka qëllime dukshëm të rënda” tha kreu i qeverisë.

Sakaq, lidhur me procesin e vaksinimit të mësuesve, ministrja Manastirliu tha sot më herët:

“Gati të nisim vaksinimin e mësuesve me 38,400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca, të cilat mbërritën në Shqipëri.”

Manastirliu tha se pas vaksinimit të mësuesve, do të nisë së shpejti vaksinimi masiv.

“Falë rritjes së shpejtë të vaksinimeve të qytetarëve në javët në vijim, do të kemi një sezon turistik më të lehtë se sa vitin e shkuar.”