Kreu i Sindikatës së Arsimit në Korçë, Leonard Trebicka deklaroi se mësuesit nuk janë kundër vaksinës por kundër AstraZenecas. Në një deklaratë ai u shpreh se ata nuk janë informuar në lidhje me efektet anësore apo anët pozitive që ka kjo vaksinë dhe nisur nga lajmet për vendimin e disa shteteve të mëdha për ta refuzuar këtë vaksinë është krijuar një pasiguri në radhët e tyre.

“Dje ka nisur vaksinimi në qytetin e Korçë. Kanë qenë gjimnazet e qytetit ata që e kanë bërë të parët. Sot kanë vazhduar shkollat 9-vjeçare që do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Por ajo që bie në sy dje ka qenë numri shumë i pakët i mësuesve që kanë shkuar për të bërë vaksinë. Jo se e refuzojnë, refuzojnë AstraZenecan dhe jo vaksinën.

Ajo që kam dëgjuar nëpërmjet medias, se informimi i vetëm është përmes medias, dhe nuk ka ardhur kush të na thotë efektet anësore dhe gjërat pozitive të kësaj vaksine. Prandaj nuk kanë dashur ta bëjnë shumica e mësuesve.

 Ne nuk jemi të informuar. Edhe mua më ka ardhur vetëm një mesazh në celular që të shkoj të bëj vaksinën. Si mund të shkohet për të bërë një vaksinë kur dëgjoj që shtet e mëdha e kanë pezulluar këtë vaksinë dhe vjen në Shqipëri për ta bërë mësuesit. Ne në bazë të informacioneve që kemi, janë rreth 20-30% e mësuesve e kanë bërë. Unë do ta bëj në fazën e dytë të bindem pse e ka pezulluar Europa”, shprehet Trebicka.