“Dua që ky vend të ketë të ardhme për djalin tim, për fëmijët tuaj.”

“Energjia dhe Uji”, Rama prezantoi sot programin e PS-së deri në vitin 2025, duke premtuar një të ardhme më të mirë, sidomos për të rinjtë që duan të jetojnë në këtë vend.

Kryeministri Edi Rama premtoi se brenda mandatit të tretë në të gjithë vendin do të ketë ujë 24 orë në të gjitha familjet shqiptare.

“Ujë, ujë, ujë, drita, drita, drita ka qenë tash vite e vite një nga kërkesat bazë të popullit. Uji i pijshëm edhe në vitet e regjimit komunist nuk ishte i kudondodhur. Ishte malli i shumëkërkuar ndaj të gjitha qeverive”,- tha Rama.

Kryeministri shtoi se aktualisht humbja në rrjet është ulur në 21 për qind, kjo për shkaqe teknike, ndërsa premtoi se gjatë mandatit të tretë do të ulet në 10 për qind.

Si krahasim Rama tha se në vitin 2013 e gjeti sistemin në kolaps, ku kishte të punësuar militantë partie.

“Premtimi më i përsëritur ka qenë 24 orë ujë, 24 orë ujë, 24 orë ujë. E kemi premtuar dhe ne por ka një ndryshim mes nesh dhe të tjerëve. Ne themi atë që do bëjmë dhe punojmë fort pa pushim për të bërë atë që themi. Keni 67-vjet që nuk e keni bërë thotë sot gjithkush. Por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, u shpreh Rama.

“E mbani mend çfarë vjedhje bëhej ditë natë. Për ujin gjetëm 23 strategji kombëtare për 23 vite nga 1990 deri në 2013 financuar nga lloj entesh dhe donatorësh që ishin tregues i një fakti drithërues.

“Uji i pijshëm dhe çdo burim që rrjedh ujë në Shqipëri ishin në mëshirë të fatit. I gjithë sistemi i furnizimit ishte realisht në kolaps. E thashë në fillim që furnizimi me ujë të pijshëm nuk ishte problem i zgjidhur edhe më parë”.

Kryeministri dha edhe një shembull, se ndryshimet demografike kanë shkaktuar problemet e shumta me të cilat po përballet qeveria sot.

“Kur shkonim me pushime në shtëpinë e gjyshes në Vlorë e mbushnin ujin e pijshëm në një çezëm të përbashkët në rrugicën e lagjes në Skelë. Shqipëria u përball me një bombë demografike dhe njerëzit përfituan dhe u grumbulluan në qendrat e mëdha urbane duke rritur nevojën për ujë të pijshëm nga një sistem i vjetër dhe i ndërtuar për një numër shumë më të vogël konsumatorësh.. Kjo sjell një efekt paralel me atë të verbërisë, dritëshkurtësisë dhe paaftësisë qeverisëse, efektin e sulmit mbi sistem”.

“Do ketë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore që e kanë pasur lëngatë për disa vite. Mandati i tretë do sjellë 24 orë ujë në Tiranë, ku është problemi më i madh për shkak të dyndjes së madhe. Kur them Tiranë, 24 orë ujë brenda mandatit të tretë, përfshirë Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do ndodhë me Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe Vlorë. Ne do të garantojmë 100% ujë të pijshëm brenda 61 bashkive të vendit”, tha Rama, gjatë prezantimit të programit mbi ujin dhe energjinë.