Një dhunë fizike në lokal përfundoi në plagosje të rëndë dhe më pasi i riu vdiq vetëm 23 vjeç. Nën akuzë pronari i kafenesë në Korçë, truproja dhe një tjetër që u kap orët e fundit

Shkon në tre numri i të ndaluarve në Korçë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në afërsi të fshatit Dishnicë, ku pas një konflikti me sende të forta, gjeti vdekjen një 23-vjeçar.

Policia lokale tha para pak çastesh se u ndalua bashkëpunëtori i tretë i kësaj ngjarjeje, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” me pasojë vdekje, kryer në bashkëpunim.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u bë ekzekutimi i vendimit penal për ndalimin e shtetasit Angel Miçani, 33 vjeç, banues në Korçë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016″, tha policia.

Gjithçka ndodhi në një lokal në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, pronari i lokalit, Olsi Zyberi atëherë 41 vjeç dhe truproja Ll.azar Dini, atëherë 35 vjeç kanë plagosur me sende të forta shtetasin Marsel Osmani, 23 vjeç.

Ky djalë, si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe provat e grumbulluara, rezulton se bashkëpunëtor me dy shtetasit e mësipërm (të cilët janë ndaluar më parë nga Policia) ishte edhe shtetasi Angel Miçani, 33 vjeç.

Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Çështja vijoi pas denoncimit të nënës

Nëna e Marsel Osmanit, Adelina, mban në duar foton e të ndjerit

Më 29 gusht 2016, në një bar kafe të njohur dhe si lokal tallavaje në Dishnicë të Korçës, gjendej edhe 23 vjeçari Marsel Osmani.

Në një moment ndaj tij ka nisur dhunë që mori fund vetëm me vdekjen e Marselit.

Katër vite më pas, Adelina Trimi, nëna e Marsel Osmanit, në një denoncim televiziv vitin e kaluar, tha se në ngjarje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët janë të lirë; Angel dhe Genci.

Adelina Trimi denoncoi se prokuroria ka marrë parasysh vetëm një kënd të kamerave të sigurisë së lokalit. Ndërkohë në pamjet që ajo tha se kishte, shfaqen të katër personat të cilët përplasen me djalin e saj dhe këto sipas saj nuk janë marrë nga prokurorja.

Minutat fatale

02:49-Nis sherri me grushte mes 5 personave. Këtu fiksohet nga kamerat Angel Milçani që godet me grushte. 02:50-Viktima goditet me grushte nga pronari i tallavasë, Olsi Zyberi. 02:53-Sherri zhvendoset në cepin e oborrit të tallavasë, ku edhe pamjet bëhen më të paqarta nga errësira. Katër autorët shkojnë drejt viktimës për ta goditur. 02:53-Angel vrapon drejt makinës, hap derën e parë të pasagjerit dhe nxjerr një levë. Sherri është spostuar në rrugë. 02:54-Badigardi Llazar Dine merr një dru dhe shkon drejt rrugës ku vazhdon sherri me viktimën. 02:56-Angel kërkon të marrë makinën. Levën e ka në dorë, por ndalohet nga 2 vajza. 02:57-Angel ndez makinën. Fiksohet edhe Llazar Dine që futet në makinë dhe shkojnë drejt Marselit, i cili ndodhet në rrugë. 02:58-Furgoni i bardhë shkon drejt Marselit. Shokët e tij kanë njoftuar shoferin të vijë sepse Marseli ndodhet pa ndjenja, mbuluar në gjak, i hedhur në kanal. 02:59-Njerëzit shikojnë nga rruga sepse dëgjojnë të bërtiturat e shokëve të Marselit. 02:59-Shikohet edhe makina e Angel ku fillimisht ishte vetëm Llazar Dine, por tani nga makina zbresin 4 persona; Angel Miçani, Llazar Dine, Olsi Zyberi dhe Genci Rustemi, të cilët e dinë se si u vra dhe nga kush u qëllua me mjete të forta Marsel Osmani.

Në një intervistë nga burgu, pronari i lokalit tallava, Olsi Zyberi, pohon se Marsel Osmani është goditur me levë në kokë nga Angel dhe me dru nga Llazar Dine.

Gazetari: Olsi ju jeni në paraburgim dhe akuzoheni për çfarë? Olsi Zyberi: Unë akuzohem për plagosje të rëndë me pasojë vdekjen në bashkëpunim. Gazetari: Ju keni qenë pronar i këtij lokali tallava dhe keni qenë prezentë gjatë sherrit. A mund të na tregosh disa detaje se si ndodhi sherri? Olsi Zyberi: Në moment që dal unë, këta po shaheshin. O çuna u thashë unë, hajde brenda se s’ka lezet. Ndërkohë më thotë viktima, po ti pse më erdhe për gangster. Ore vëlla i thashë unë, ça janë këto gangster. Në atë kohë më godet mua. Personat që e sulmuan e dinë shumë mirë sepse njërin e kisha badigard, njërin e kisha djalin e tezes së nuses. Gazetari: Kush janë këta, m’i thuaj me emra dhe mbiemra dhe çfarë e keni parë që e kanë goditur. Olsi Zyberi: Llazar Dine dhe Angel Vilçani, me mjete të forta. Njëri ka patur dru, njëri ka patur levë. Angel Vilçani me gjithë Llazar Dinen. Vjen Llazar Dine, vjen Angel Vilçani në polici, deklaron për herë të parë që unë nuk kam parë njeri tjerët përveç Olsit. Në ballafaqim i kam thënë që e ke goditur ti. Jo më ka thënë, nuk e kam goditur unë, por Lazar Dine. Pra ndryshoi thënien. Pastaj erdhi në gjyq. Aty nuk e ke idenë sa ka gënjyer. Nuk e di gjykata si i ka marrë për bazë dhe si nuk i merr edhe videot pa bazë, pa le atë.