Me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e re. Albin Kurti është zyrtarisht kryeministri i ri i Kosovës.

Nga foltorja e Kuvendit, Kurti mbajti fjalimin si kryeministër, ndërsa premtoi do të udhëheqë me parime. Ai theksoi se vota nuk është thjeshtë numër dhe u kërkoi deputetëve të mazhorancës të mos sillen me arrogancë ndaj opozitës.

Kryeministri ri theksoi se duhet bashkëpunimi i të gjithëve për të çuar përpara reformat.

“U jam mirënjohës për maturinë dhe përgjegjësinë qytetarë që dëshmuan gjatë procesit të votimit. Nga sot jam kryeministër. S’ka dyshim që këto zgjedhje janë historike. Ndihem i përulur para detyrave që kemi. Vota nuk është thjeshtë një numër. Të zhvillojmë ekonominë, të sjellin drejtësi dhe barazi në shoqëri. Pritjet janë të mëdha dhe përgjegjësia është e madhe. Është e rëndësishme të ndjejmë peshën e besimit.

Për deputetët e pozitës këtë rol e përgjegjësi mos e merrni si të mirëqënë dhe mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës. Ashtu siç ua kanë dhënë votën qytetarët ashtu edhe ua marrin.

Unë do të jem kryeministër që do të udhëheq me parime. Qeveria dhe institucionet janë të qytetarëve. Këtë duhet ta ketë parasysh secili zyrtar. Në institucione jeni zgjedhur or të shërbyer dhe jo për tu rehatuar. Qytetarët me të drejtë presin që të përfaqësohen nga njerëz të denjë. Na duhet bashkëpunim me të gjithë. Për reforma do të na duhet një mentalitet i ri i punës”, tha Kurti.