Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në proceset me të cilat do të rikthehet gradualisht lëvizja e lirë brenda Evropës përmes pasaportave të vaksinimit, ka deklaruar kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister.

“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor plotësojnë kushtet e nevojshme, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i përfshirë ato përveç 27 vendeve të BE në planet për lirinë e lëvizjes në të gjithë kontinentin tonë.”

Lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për lëshimin e certifikatave dixhitale të gjelbërta për udhëtime brenda BE-së, McAllister theksoi se ka shumë gjëra që duhet të bëhen dhe të merren parasysh në këtë drejtim kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje shumë teknike ku BE do të dëgjojë mendimet e ekspertëve nga Agjencia Evropiane e Barnave nëse janë duke u përmbushur standardet e nevojshme në Ballkanin Perëndimor.”

McAllister theksoi se vaksinimi kundër Covid-19 është thelbësor për t’i dhënë fund pandemisë, për të arritur një kthim gradual në normalitet, por edhe për të ruajtur stilin e jetës evropiane, e cila përfshin lirinë e lëvizjes në të gjithë Evropën.

Komisioni Evropian propozoi krijimin e një certifikate dixhitale të gjelbër për të lehtësuar lëvizjen e sigurt të lirë brenda BE-së gjatë pandemisë Covid-19.

Certifikata e Gjelbër Dixhitale do të jetë prova se një person është vaksinuar kundër Covid-19, është testuar negativisht ose është rikuperuar nga Covid-19. Do të jetë falas, në formë dixhitale ose të shtypur. Ajo do të përfshijë një kod QR për të siguruar sigurinë dhe vërtetësinë e certifikatës.

Ky propozim, duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.