“Lufta” e momentit me të cilën po përballen vendet e të gjithë botës është sigurimi i vaksinave kundër koronavirusit.

Vendet e varfra e kanë të pamundur që të sigurojnë doza qoftë edhe për mjekët, e jo më për popullsinë e thjeshtë.

Në këto kushte, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dhurojë vaksina për vendet me të ardhura më të ulëta, duke përmendur nevojën urgjente për 10 milionë doza për një program të shpërndarjes së vaksinave të mbështetur nga OBSH-ja.

“COVAX është gati të shpërndajë, por ne nuk mund të shpërndajmë vaksina që nuk i kemi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale shtypi nga Gjeneva.

Thirrja e tij vjen pasi India, një furnizues kryesor i programit të ndarjes së vaksinave COVAX të agjencisë, tha se po i jepte përparësi nevojave lokale.

Të dhënat nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të premten treguan se 27% e popullatës amerikane ka marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe gati 15% janë vaksinuar plotësisht.