Një 43-vjeçar, i dënuar për dhunë në familje, do të jetë nën hetim tani edhe për një vepër tjetër penale.

Policia e Kurbinit, ka sekuestruar një armë zjarri, granata dhe municion luftarak në oborrin e banesës së shtetasit K.P.

Siç bëjnë me dije uniformat blu, ata ishin sinjalizuar mbi veprimtarinë e paligjshme nga një denoncim  anonim.

“Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët e Njësisë Antieksploziv, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në fshatin Sanxhak, Kurbin, përreth banesës së shtetasit K. P., 43 vjeç, kishte të fshehura armë zjarri dhe municion luftarak, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e tyre”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës së të arrestuarit, policia gjeti të fshehura në tokë, 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi K. P., 43 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, aktualisht po vuan dënimin në I.E.V.P. Shënkoll, Lezhë, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.