Policia e Elbasanit ka marrë në mbrojtje prokurorin që ka hetuar Ardian dhe Florenc Çapjan.

Ritvan Sukaj është marrë në mbrojtje nga policia e Shtetit pasi firmosi tre urdhra ndalimi pas operacionit Krasta 2021.

Falë këtij operacioni u vunë në pranga Ardi Çekani, Ardian Çapja dhe u shpall në kërkim nipi i tij Florenc Çapja.

Akuza për të cilën është arrestuar 53-vjeçari është ajo e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në qytetin e Elbasanit nëntë vite më parë, ku viktimë kanë mbetur Gentian dhe Nezir Beqiri.

Është shpallur në kërkim nipi i tij, Florenc Çapja, 40 vjeç.

Mësohet se arrestimi i Ardian Çapjas është bërë pas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë të arrestuar pak kohë më parë në këtë qytet.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit u krye në banesën e tyre, pasi i riu ishte i paralizuar dhe në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Edhe pse ruhej me policë në hyrje të shtëpisë, autorët mundën të shmangnin kontrollet dhe të kryenin krimin. Të arrestuar për këtë ngjarje janë shtetasit Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli.

Përplasjet e Çapjave me grupe të tjera në Elbasan kanë shënuar një sërë viktimash gjatë viteve të fundit.